Library
Orgita Milo
Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, nënshkruar në Romë më 4 nëntor 1950, është ratifikuar nga Shqipëria më 2 dhjetor 1996. Protokolli nr. 11 i Konventës, hyrë në fuqi më datë 1 nëntor 1998, parashikon detyrimin e gjykatës për të shqyrtuar në mënyrë të drejtpërdrejtë kërkesat individuale.

Me përjashtim të lirisë sindikale dhe ndalimit të punës së detyruar të cilat janë të drejta sociale dhe të drejtës së pronës që është një e drejtë ekonomike, Konventa dhe protokollet që e shoqërojnë mbrojnë vetëm të drejta civile dhe politike, materiale dhe proceduriale, që i njihen çdo personi, fizik ose juridik, që ndodhet nën juridiksionin e një Pale Kontraktuese.

Gjykata shqyrton çështjet në Komitete, Dhoma dhe Dhomë të Madhe. Kërkesa në këtë gjykatë ka formën e ankimit ndërshtetëror (Qipro kundër Turqisë, nr. 25781/94, 10 maj 2001) ose individual. Një kërkesë individuale regjistrohet në gjykatë kur një person fizik, grup individësh ose organizatë joqeveritare pretendon se është viktimë e shkeljes së të drejtave të njohura nga kjo konventë dhe protokollet bashkëngjitur. Komiteti mund të deklarojë të papranueshme ose të çregjistrojë kërkesën. Dhomat vendosin mbi pranueshmërine dhe thelbin e kërkesës, kurse Dhoma e Madhe gjykon çështje të një rëndësie të veçantë lidhur me interpretimin e Konventës ose çështje që mund të bien në kundërshtim me një vendim të mëparshëm të Gjykatës.

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, gjatë shqyrtimit të çështjeve shqiptare, ka trajtuar, ndër të tjera, dy aspekte shumë të rëndësishme të së drejtës shqiptare.

Ezaurimi i mjeteve të brendshme të ankimit është një prej kushteve kryesore të pranueshmërisë së kërkesave pranë kësaj gjykate. Në çështjen Balliu kundër Shqipërisë nr. 74727/01 shqyrtuar më datë 27 maj 2004, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka vendosur pranueshmërinë e këtij rasti duke konsideruar se kërkesa pranë Gjykatës Kushtetuese, për konstatimin e shkeljeve të parimit të procesit të rregullt ligjor, konsiderohet si një mjet ankimi efektiv, ezaurimi i të cilit është i domosdoshëm në kuptimin e nenit 35 të Konventës. Ky vendim ka një ndikim të drejtpërdrejtë në llogaritjen e afatit gjashtë mujor nga data e vendimit përfundimtar të brendshëm për rastet kur kërkuesi, person fizik apo juridik, ankohet për shkelje të procesit të rregullt, parim kushtetues i sanksionuar nga neni 42 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Në një hapësirë të shkurtër kohore, Gjykata Evropiane, me vendimin e datës 18 nëntor 2004 Qufaj Co Sh.P.K. kundër Shqipërisë, nr. 54268/00, ka trajtuar problematikën e mosekzekutimit të vendimeve gjyqësore ne Shqipëri. Në rastin në fjalë, Bashkia e Tiranës i kishte akorduar një shoqërie tregtare lejen për shesh ndërtimi, por jo lejen e ndërtimit për disa apartamente banimi. Si pasojë e humbjeve të konsiderueshme në aktivitetin e saj tregtar, shoqëria paditi Bashkinë e Tiranës në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë duke kërkuar një dëmshpërblim prej 60.000.000 lekësh. Pas hedhjes poshtë të kërkesës nga kjo gjykatë, shoqëria u ankua në Gjykatën e Apelit Tiranë e cila urdhëroi Bashkinë e Tiranës t’i paguante shoqërisë shumën 60.000.000 Lekë. Si rrjedhojë e mosparaqitjes se rekursit në Gjykatën e Lartë, vendimi i lartpërmendur mori formë të prerë. Meqënëse ky vendim nuk u ekzekutua, shoqëria u ankua në Gjykatën Kushtetuese e cila e hodhi poshtë kërkesën me arsyen se ekzekutimi i vendimeve gjyqësore ishte jashtë kompetencës së saj.

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut deklaroi se shteti shqiptar ka shkelur nenin 6 § 1 të Konventës duke mos garantuar ekzekutimin e vendimit, pjesë përbërëse e procesit gjyqësor. Në vijim të jurisprudencës së njohur Hornsby kundër Greqisë, datë 19 mars 1997, 107/1995/613/701, Gjykata ka ritheksuar edhe njëherë se e drejta për një proces të rregullt ligjor do të mbetej një iluzion nëse e drejta e brendshme e Palëve Kontraktuese do të lejonte që një vendim i formës së prerë të mbetej i pazbatueshëm në dëm të njërës prej palëve të procesit. Vonesa në ekzekutimin e një vendimi nuk mund të justifikohet në rast se ajo është në dëm të thelbit të së drejtës së mbrojtur në sensin e nenit 6 § 1 të Konventës. As vështirësitë financiare të organeve shtetërore nuk përbëjnë shkak për moszbatimin e vendimeve gjyqësore.

Gjithashtu, bazuar në nenin 41 te Konventës, Gjykata Evropiane ka trajtuar kërkesën e shoqërisë Qufaj Co për një shpërblim të drejtë. Gjykata konstatoi se interpretimi stricto sensu i konceptit të procesit të rregullt ligjor nga ana e Gjykatës Kushtetuese i kishte mohuar shoqërisë në fjalë të drejtën për t’u dëmshpërblyer për refuzimin e lejes së ndërtimit. Gjykata vendosi se shpërblimi i drejtë përfshinte jo vetëm shumën prej 60.000.000 lekësh, dëmshpërblim i caktuar prej Gjykatës së Apelit Tiranë, por edhe dëmshpërblimin prej 70.000 Eurosh për dëmet materiale dhe jomateriale si dhe shumën prej 2.000 Eurosh për shpenzimet lidhur me këshillimin ligjor.



Ky vendim është i rëndësishëm jo vetëm për faktin se shteti shqiptar është dënuar për herë të parë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, por edhe se një shoqëri tregtare shqiptare ka mundur të marrë një dëmshpërblim të konsiderueshëm që përfshin dëmet materiale dhe jo materiale që sjell mosekzekutimi i një vendimi gjyqësor në Shqipëri.

ORGITA MILO
Boga & Associates
Mail: milo@bogalaw.com
Tel: 00355 4 251050
Fax: 00355 4 251055
Home   Overview   Expertise   Major Projects   Members   Library
SITEMAP HELP CONTACT US