Library
Fatmir Kazazi
I. Të Përgjithshme
Pa hyrë në detaje historike apo në veçori të sistemeve të ndryshme, mund të thuhet se, në përgjithsi dhe sidomos në ekonominë e tregut, funksioni kryesor i çdo shteti, që realizohet nga qeveria, institucionet dhe entet e tjera publike, është sigurimi ose furnizimi i shërbimeve të ndryshme për popullatën. Në këto shërbime përfshihen mbrojtja kombëtare, gjyqësori, rendi, infrastruktura, arësimi, etj., dhe, sigurisht, për të ushtruar këto funksione nevoiten burime kolosale financiare, të cilat, në masën më të madhe, realizohen nga tatimet dhe taksat. Pra tatimet janë pagesa të detyrueshme që merren nga shteti me Ligj për të siguruar fondet e nevojshme për ushtrimin e shërbimeve publike.
Tatimet dhe taksat gjithnjë e më tepër, edhe në vendin tonë, po bëhen një fenomen masiv dhe që përfshin qindra mijëra tatimpagues dhe qindra zyrtarë tatimorë dhe ekspertë e konsulentë privatë. Gjithnjë e më shumë grupe më të mëdha njerëzish bëhen pjesë e sistemit tatimor. Ndryshimet e mëdha në jetën politike, ekonomike e sociale janë shoqëruar edhe me ndryshime apo reformime të sistemeve tatimore. Tatimet janë bërë pjesë e rendësishme e debateve politike, ekonomike dhe sociale. Zgjerimi i bazës tatimore, rritja e numurit të tatimpaguesve, kalimi i funksionit të mbledhjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetsore në Administratën tatimore, programet e qeverisë për heqjen e barrierave administrative dhe thjeshtëzimin e sistemit tatimor, forcimi i përpjekjeve të organeve tatimore për luftimin e evazionit dhe rritja e edukatës fiskale tek tatimpaguesit, kanë ndikuar në shtimin e debateve rreth sistemit tatimor. Këto debate janë prezent kudo: në median e shkruar dhe atë elektronike, në Parlament, në Qeveri, në ambjentet bisnesore, në forume shkencore dhe akademike, dhe në kafene e në biseda familiare. Kudo flitet për tatime të larta apo të ulta, për sjellje korrekte apo arbitrare të administratës tatimore, për zbatime të drejta ose mos-zbatim të Ligjit, për evasion fiskal, për trajtime të pabarabarta, për korrupsion, etj.
Nëpërmjet këtij artikulli, sigurisht, nuk pretendohet të trajtohen e aq më tepër të adresohen problemet e mësipërme, përkundrazi, problemet e trajtuara janë pjesë e debateve të mësipërme.
Në vijim jepen disa konsiderata të përgjithshme lidhur me parimet kryesore të sistemeve tatimore dhe lidhur me detyrimet dhe të drejtat kryesore të administrates tatimore dhe të tatimpaguesve, të cilat, edhe pse në pamje të parë duken si probleme teorike elementare, në thelb janë tepër të rëndësishme dhe qëndrojnë në themelet e çdo sistemi tatimor dhe janë parakushte për funksionimin efikas të tij.

II) Parimet bazë të sistemeve tatimore
Parimet kryesore mbi të cilat janë bazuar dhe gjykuar tradicionalisht politikat tatimore dhe sistemet tatimore janë: barazia, efikasiteti dhe thjeshtësia.
1) Parimi i barazisë (parimi i drejtësisë, i lojës së ndershme) është parimi kryesor ku bazohet hartimi i çdo sistemi tatimor. Parimi i trajtimit të barabartë ose “barazia para ligjit” në fakt aplikohet në çdo ligj. Në fakt barazia apo drejtësia në trajtimin tatimor ka të bëjë me një trajtim relativ të grupeve të ndryshme të tatimpaguesve. Tradicionalisht janë aplikuar dy tipe të barazisë tatimore: barazia horizontale dhe barazia vertikale.
• Në bazë të parimit të barazisë horizontale tatimpaguesit në rrethana të njejta ose të ngjashme duhet të kenë të njejtin trajtim tatimor.
• Ndërsa në bazë të parimit të barazisë vertikale tatimpaguesit me të ardhura më të larta duhet të përballojnë një barrë fiskale më të lartë. Pra barra tatimore shpërndahet progresivisht në rritje në përputhje me nivelet në rritje të të ardhurave.
Parimi i barazisë apo drejtësisë ka kuptimin proçedurial dhe kuptimin thelbësor. Në kuptimin proçedurial (administrativ) ligji duhet të aplikohet në mënyrë tërësore, të drejtë dhe neutrale pavarësisht nga statusi i personit të përfshirë. Kjo do të thotë se askush nuk mund të marrë një trajtim preferencial ose diskriminues gjatë aplikimit të ligjit. Në kuptimin thelbësor parimi i barazisë nënkupton faktin se nuk duhet lejuar që ligjet të përdorin kritere të caktuara që të diskriminojnë tatimpagues apo grupe të caktuara tatimpaguesish. Parimi kërkon gjithashtu që çdo kriter i përdorur duhet të jetë mbi baza racionale (të arësyeshme, të llogjikshme). Kjo do të thotë që si qëllimi i trajtimit të pabarabartë edhe mjetet për ta zbatuar atë duhet të jenë të llogjikshme.
2) Parimi i efikasitetit ka të bëjë me faktin që sistemi tatimor duhet të hartohet në mënyrë të tillë që të inkurajojë në maksimum zhvillimin ekonomik. Një gjë e tillë arrihet kur sistemi tatimor ndikon sa më pak që të jetë e mundur në sistemin e çmimeve dhe në konkurencën. Pra sistemi tatimor duhet të rëndojë njëlloj sektorët e ndryshëm dhe të jetë neutral përsa i takon marrjes së vendimeve të bisnesit.
3) Parimi i thjeshtësisë është gjithashtu nga parimet më të rëndësishme që trumbetohet gjithnjë e më shumë kohët e fundit, por që edhe është shkelur për të realizuar arritjen e synimeve të caktuara. Sistemet tatimore duhet të jenë lehtësisht të asimilueshme jo vetëm nga administrata tatimore por edhe nga tatimpaguesit dhe konsulentët e tyre. Ka raste kur sistemi tatimor ka vështirësi për tu kuptuar nga tatimpaguesit dhe vështirsi për tu administruar nga autoritetet tatimore, një gjë e tillë jo vetëm që rrit koston e administrimit të tatimeve për tatimpaguesit edhe për administratën tatimore, por çon në krijimin e skemave evasive të komplikuara që gërryejnë bazën tatimore. Krijimi i skemave të tilla të sofistifikuara inflyencon në rritjen e kompleksitetit të sistemit tatimor, gjë që kërkon draftimin e dispozitave ligjore detajuara për mbylljen e boshllëqeve dhe duplikimeve dhe shmangien e mundësisë së përdorimit të skemave evasive. Kompleksiteti është vështirë të matet por volumi në rritje i legjislacionit është një tregues. Thjeshtësia duhet të mbizotërojë ose të gjendet optimalia midis thjeshtësisë, kompleksitetit dhe nivelit të administratës tatimore dhe të tatimpaguesve.

III.Legjislacioni tatimor dhe fuqitë administrative të administratës tatimore
Legjislacionet tatimore përmbajnë formulime të përgjithshme dhe shpesh nuk mund të përshkruajnë e aq më tepër të parashikojnë rrethanat dhe kushtet e zbatimit të tyre. Interpretimi i ligjeve tatimore bëhet kryesisht nëpërmjet vendimeve, udhëzimeve e rregullore të nxjerra nga ekzekutivi. Sigurisht interpretimi dhe aplikimi duhet të jetë në përputhje me ligjet tatimore dhe ligjet e tjera përfshirë Kushtetutën.
Autoriteti që i jep legjislacioni tatimor administratave tatimore për të bërë interpretime të legjislacionit tatimor është faktor kyç në efekasitetin e zbatimit të sistemit tatimor. Ndërsa tarifat e tatimeve përcaktohen lehtësisht në Ligj, mënyrat e përcaktimit (llogaritjes) së bazës tatimore dhe aq më tepër proçedurat e mbledhjes dhe kontrollit, është e vështirë të përcaktohen me detaje në ligj. Në vende të ndryshme autoriteti i organeve tatimore lidhur me përcaktimin e bazës tatimore është i ndryshëm. Në ekonomitë në tranzicion, nisur nga niveli relativisht i ulët i edukatës fiskale tek tatimpaguesit, niveli profesional i administratës tatimore dhe niveli i korrupsionit, rekomandohet që autoriteti dhe fuqitë e administratës tatimore duhet të jenë sa më të kufizuara, dhe proçedurat dhe teknikat e përcaktimit të bazës tatimore, të mbledhjes dhe kontrollit tatimor të jenë të përcaktuara në ligje dhe dispozita nënligjore. Sidoqoftë një gjë e tillë e bën më kompleks legjislacionin, në raste të caktuara vështirson aplikimin e tij dhe mund të keqpërdoret për krijimin e skemave evazive.

(VI) TE DREJTAT DHE DETYRIMET E TATIMPAGUESVE
Ambjenti fiskal në të cilin operojnë administratat tatimore ka ndryshuar në mënyrë rrënjësore dy-tre dekadat e fundit. Barra tatimore është rritur ndjeshëm, baza tatimore është zgjeruar dhe është rritur numuri i tatimpaguesve, janë eleminuar një sërë stimujsh tatimorë dhe janë përfshirë në sistemet tatimore burime të reja të të ardhurave. Në të njejtën kohë është rritur barra e autoriteteve tatimore për edukimin e tatimpaguesve dhe për administrimin e tatimeve. Gjithashtu gjatë këtyre viteve janë bërë ndryshime të rendësishme në teknikat e përdorura për vlerësimin edhe mbledhjen e tatimeve. Tani përdoren kompiuterat për mbajtjen e llogarive tatimore, për regjistrimin dhe arshivimin e të dhënave të tatimpaguesve dhe për zgjedhjen e subjekteve që do të kontrollohen. Në të njejtën kohë, gjithnjë e më shumë edhe tatimpaguesit i mbajnë llogaritë e tyre në njësi kompiuterike. Ky sofistikim në rritje ka hapur mundësi për përmirësimin e efektivitetit të administrimit të tatimeve, por ai gjithashtu ka hapur rrugë të reja për shmangie nga tatimi.
Një ndryshim tjetër i rendësishëm konsiston në mardhënjet midis tatimpaguesve dhe administratës tatimore. Shumë vende synojnë të përmirësojnë shërbimin ndaj tatimpaguesve dhe, sidomos, rritjen e shkallës së bashkëpunimit me tatimpaguesit, i cili rritet me rritjen e besimit reciprok midis tatimpaguesve dhe administratës tatimore dhe nëse të drejtat e tatimpaguesve jepen qartë dhe mbrohen. Në këto kushte shumë vende kanë rishikuar fuqitë administrative të autoriteteve tatimore dhe masat për mbrojtjen e të drejtave të tatimpaguesve, pra për të gjetur një ballancë optimale midis disiplinës tatimore, masave shtërnguese administrative të autoriteteve tatimore dhe të drejtave të tatimpaguesve.
Legjislacioni tatimor i jep administratave tatimore autoritet për përcaktimin e bazës tatimore, për verifikimin e informacioneve të dhëna nga tatimpaguesit dhe nga palët e treta, dhe për vjeljen e detyrimeve tatimore. Në këto kushte mund të ekzistojë një konflikt potencial midis përdorimit të këtyre fuqive për të shmangur evazionin tatimor dhe për të siguruar një trajtim të drejtë të të gjithë tatimpaguesve, dhe nevojës për respektimin e të drejtave të tatimpaguesve të veçantë. Të drejtat e konfidencialitetit, të aksesit ndaj informacionit dhe e drejta për të apeluar kundra vendimeve të administrates tatimore, janë të drejta themelore në shoqëritë demokratike. Që sistemet tatimore të operojnë me efikasitet kërkohet një nivel i lartë bashkëpunimi me tatimpaguesit. Bashkëpunimi mund të forcohet nëse tatimpaguesit e konsiderojnë sistemin të drejtë dhe shohin se të drejtat e tyre janë evidentuar qartë dhe respektohen. Në praktikë të gjitha qeveritë përpiqen ti kushtojnë kujdes respektimit të të drejtave të tatimpaguesve dhe marrjen e masave për mbrojtjen e atimpaguesve kundrejt keqpërdorimit të fuqive kontrolluese nga autoritetet tatimore, edhe pse këto masa shpesh marrin ngjyra politike. Kjo ka ndodhur ndoshta për shkak të faktit se tatimpaguesit kanë pasur nevojë për më tepër dispozita të sakta e të plota për të mbrojtur të drejtat e tyre, në një kohë që nivelet e tatimeve janë rritur, legjislacioni tatimor është bërë më kompleks, përdorimi i teknologjive të reja ka hapur rrugë të reja për shkëmbimin dhe krahasimin e informacionit nga burime të ndryshme, dhe është rritur bashkëpunimi në nivel ndërkombëtar midis autoriteteve tatimore. Në shumë vende kohët e fundit vërehet një debat i hapur lidhur me të drejtat e tatimpaguesve. Në disa raste këto debate janë stimuluar nga ndryshimet e bëra lidhur me rritjen e peshës së vetë-deklarimeve të detyrimeve tatimore nga tatimpaguesit, apo nga fakti se fuqitë ekzistuese të autoriteteve tatimore janë tepër të mëdha ose në disa raste këto fuqi nuk përdoren drejt.
Pagimi i tatimeve është një detyrim i vendosur mbi shtetasit për të financuar ato shpenzime publike që përfaqsuesit e tyre kanë vendosur se duhet të kryhen nga qeveria. Ky detyrim është përgjithsisht i pranuar, por ajo që shpesh kontestohet është niveli i fuqive që i jepen autoriteteve tatimore për të vlerësuar, kontrolluar dhe detyruar zbatimin e këtyre obligimeve dhe mënyra se si autoritetet tatimore i ushtrojnë këto fuqi.
Qeveritë i japin autoriteteve tatimore mundësi informimi dhe fuqi të gjera për të realizuar mbledhjen e detyruar të tatimeve. Të tilla fuqi i lejojnë administrates tatimore:
- të kërkojë nga tatimpaguesit paraqitjen e informacioneve dhe dokumentave të duhura;
- të kontrollojë llogaritë e tatimpaguesit, përfshirë edhe kontrollet në vend, dhe të kërkojë sqarime për transaksionet;
- të kontrollojë vendet e bisnesit dhe në disa raste edhe banesat;
- të kërkojë nga palë të treta informacione mbi tatimpaguesin;
- të ndihmohet nga pjesë të tjera të administratës apo nga autoritete të huaja.
Fuqitë e kontrollit të organeve tatimore duhet të shprehen qartë në mënyrë që të mos keqpërdoren nga inspektorët tatimorë. Përdorimi ekstrem i fuqive të administrates është i justifikuar në raste mashtrimesh, por mund të jetë gjithashtu i nevojshëm për të siguruar mbledhjen në masën e duhur të tatimit edhe kur nuk ka mashtrime. Por përdorimi ekstrem i fuqive shtërnguese dhe investiguese mund të shkaktojë ndërhyrje të pajustifikuara në jetën private ose ti shkaktojë vështirësi apo dëme tatimpaguesit.
Në këto kushte për të siguruar respektimin e detyrimeve tatimore nga ana e tatimpaguesve por edhe për të mbrojtur të drejtat e tyre, në shumë vende janë sanksionuar statuse të posaçme lidhur me të drejtat dhe detyrimet e tatimpaguesve. Në vijim po japim disa nga parimet bazë që zbatohen në shumë vende lidhur me të drejtat e tatimpaguesve:
1) E drejta për t’u informuar, ndihmuar dhe dëgjuar. Tatimpaguesit kanë të drejtë të kenë informacion të vazhdueshëm mbi sistemet tatimore, mënyrën si funksionojnë ato dhe mënyrat se si llogariten tatimet e tyre. Informacioni që i jepet tatimpaguesve duhet të jetë i tillë që ata të kuptojnë në kompleks situatën e tyre tatimore. Autoritetet mund të përdorin mjete të ndryshme për arritjen e këtij qëllimi, si: pamfletet informative, udhëzime, komunikime telefonike, diskutime gojore, seminare, emisione televizive, videokaseta, etj.
2) E drejta e ankimit (apelimit). Të drejtën për apelim kundra çdo vendimi të autoriteteve tatimore e kanë të gjithë tatimpaguesit, qoftë lidhur me probleme të interpretimit të ligjit apo të rregullave administrative, qoftë për çështje faktesh, me kusht që ankesa e tatimpaguesit të ketë lidhje direkte me problemin. Në të gjitha vendet tatimpaguesit kanë të drejtë të ndjekin shkallën hierarkike të proçedurave të apelimit. Shumë ankesa mund të apelohen në nivel administrativ dhe të zgjidhen në këtë nivel. Në shumë vende ankesat tatimore bëhen në një gjykatë administrative, të specializuar me gjyqtarë dhe ekspertë tatimorë.
3) E drejta për të paguar jo më shumë se shuma korrekte e tatimit. Tatimpaguesit duhet të paguajnë një tatim jo më shumë se sa kërkohet në legjislacionin tatimor. Kështu ndërsa është e pranueshme që të reduktohet detyrimi tatimor nëpërmjet planifikimit tatimor legjitim (gjetja e një pozicioni ligjor sa më të përshtatshëm duke respektuar Ligjin), nga ana tjetër qeveritë duhet të marrin masa për krijimin e dipozitave të qarta për luftimin e evazionit tatimor. Tatimpaguesit gjithashtu kanë të drejtë të gëzojnë një asistencë të arësyeshme nga autoritetet tatimore që ato të mund t’i përfitojnë të gjitha lehtësitë apo reduktimet që i jep ligji.
4) E drejta e sigurisë. Tatimpaguesit kanë gjithashtu të drejtën e një shkalle sigurie për pasojat tatimore të veprimeve të tyre. Sigurisht, siguria nuk është gjithmonë e mundur. Për shembull, tatimpaguesit nuk mund ta dinë gjithmonë përpara efektin e rregullave që janë në varësi të fakteve dhe rrethanave të një rasti të veçantë. Gjithashtu autoritetet tatimore mund të mos jenë të detyruara ti garantojnë siguri tatimpaguesit lidhur me zbatimin e dispozitave kundra abuzimeve që synojnë të anashkalojnë ose të “keqkuptojnë” qëllimin e vërtetë të ligjit. Megjithatë, synimi i përgjithshëm duhet të jetë që tatimpaguesit të jenë në gjendje të parashikojnë konsekuencat tatimore të veprimtarisë së tyre të zakonshme personale dhe bisnesore. Zbatimi i këtij qëllimi është shumë i vështirë sepse sistemet aktuale tatimore janë komplekse dhe në ndryshim të vazhdueshëm.
Një aspekt tjetër i sigurisë së tatimit është se legjislacioni dhe ndryshimet në interpretimin administrativ të ligjeve tatimore, normalisht nuk duhet të kenë efekt prapaveprues. Tatimpaguesit duhet të kenë mundësi të njohin pasojat tatimore të një veprimi përpara se ta ndërmarrin atë.
Një shkallë e lartë sigurie për tatimpaguesit mund të arrihet nëse legjislacioni tatimor është i formuluar me kujdes dhe kjartë në mënyrë që tatimpaguesit ta kuptojnë atë, dhe ndryshimet e shpeshta në sistemet tatimore duhen shmangur sa më shumë që të jetë e mundur.
5) E drejta e konfidencialitetit dhe e sekretit. Të gjithë tatimpaguesit kanë të drejtë të presin nga organet tatimore që këto të fundit të mos e cënojnë “privacinë” e tyre, pa arësye të domosdoshme. Në praktikë, një gjë e tillë sigurohet duke shmagur kontrollet e panevojshme në ambjentet e bisnesit dhe sidomos në ato private dhe duke përcaktuar proçedura të qarta për këto kontrolle. Një e drejtë tjetër bazë e tatimpaguesve është se informacioni që disponon administrata tatimore për tatimpaguesit është konfidencial dhe duhet të përdoret vetëm për qëllimet e specifikuara në legjislacionin tatimor. Legjislacionet tatimore duhet të aplikojnë gjoba të rënda ndaj zyrtarëve tatimorë që keqpërdorin informacionin konfidencial dhe rregullat e konfidencialitetit që aplikohen për administratat tatimore duhet të jenë shumë më strikte se ato që përdoren ndaj organizmave të tjera qeveritare.
Tatimpaguesit duhet të kenë bindjen se informacionet e dhëna autoriteteve tatimore nuk duhet të keqpërdoren. Rregulli i përgjithshëm është se informacionet e marra nga administrata tatimore nuk duhet të përdoren për qëllime të tjera veçse për llogaritjendhe mbledhjen e tatimit.
Tatimpaguesit gjithashtu duhet të jenë të bindur se sekretet e tyre bisnesore nuk i serviren konkurentëve të tyre dhe organet tatimore nuk i nxjerrin informacionet jashtë autoriteteve tatimore, gjë që mund të dëmtonte pozitën konkuruese të tatimpaguesit.
6) E drejta për tu trajtuar me korrektësi dhe edukatë. Një administratë tatimore efiçente duhet të sigurojë gjithashtu që tatimpaguesit të trajtohen në mënyrë të sjellshme, efikase, me korrektësi dhe të ekzistojë mundësia e dialogut midis tatimpaguesit dhe administratës tatimore.
Home   Overview   Expertise   Major Projects   Members   Library
SITEMAP HELP CONTACT US